Këshilli i Ministrave miraton projektligjin për tregjet e kripto-aseteve
Kuadri i ri për kripto-asetet synon licencim më të qartë, mbrojtjen e investitorëve dhe përafrimin me MiCA.
Këshilli i Ministrave, në mbledhjen e datës 2 tetor 2026, miratoi projektligjin “Për Tregjet e Kripto-Aseteve”, të hartuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF). Projektligji synon të krijojë një kuadër të plotë rregullator për emetimin e kripto-aseteve dhe ofrimin e shërbimeve të lidhura me to, si dhe përafrimin e Shqipërisë me acquis të Bashkimit Evropian në fushën e financave digjitale. Në thelb, ai transpozon Rregulloren (BE) 2023/1114, të njohur si MiCA, duke krijuar një bazë të re ligjore për një treg që deri tani ka qenë vetëm pjesërisht i mbuluar nga kuadri ekzistues.
Shtyllat kryesore të projektligjit janë transparenca, mbrojtja e investitorëve, integriteti i tregut, mbikëqyrja efektive dhe harmonizimi me standardet evropiane. Ai rregullon emetimin e kripto-aseteve dhe tokenave të parasë elektronike, por edhe operimin e platformave të tregtimit, kujdestarinë, këmbimin, ekzekutimin dhe transmetimin e urdhrave, këshillimin, transfertat dhe administrimin e portofolit të kripto-aseteve.
Kërkesa të reja për operatorët e tregut
Projektligji vendos kërkesa për kapitalin minimal, qeverisjen korporative, menaxhimin e konfliktit të interesit, sigurinë kibernetike dhe operacionale, transparencën e dokumentit informues, si dhe masa kundër abuzimit me tregun dhe pastrimit të parave. Kuadri i ri synon kalimin nga një regjim i fragmentuar në një sistem më të plotë dhe të harmonizuar me standardet e BE-së, duke vendosur në qendër sigurinë juridike, mbrojtjen e investitorit dhe mbikëqyrjen e tregut.
Projektligji “Për Tregjet e Kripto-Aseteve” parashikon gjithashtu një regjim të diferencuar rregullator për kategoritë e ndryshme të kripto-aseteve, duke i trajtuar sipas natyrës, funksionit ekonomik dhe nivelit të rrezikut që paraqesin për investitorët, tregun dhe stabilitetin financiar. Licencimi i operatorëve në këtë sektor synohet të zhvillohet mbi një bazë ligjore dhe rregullatore më të konsoliduar.
Shqipëria ka aktualisht një kuadër për mjetet virtuale të bazuar te ligji nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”, i cili hyri në fuqi më 1 shtator 2020. AMF kishte përcaktuar më herët si objektiv përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me rregulloren evropiane MiCA.
Qeveria miraton edhe projektligjin për konglomeratet financiare
Në kuadër të përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian, qeveria miratoi edhe projektligjin “Për mbikëqyrjen shtesë të institucioneve të kreditit, shoqërive të sigurimeve dhe shoqërive komisionere, pjesë e konglomerateve financiare”, të hartuar nga AMF. Nisma synon forcimin e mbikëqyrjes së grupeve që ushtrojnë veprimtari në disa sektorë të tregut financiar.
Një grup do të konsiderohet “konglomerat financiar” nëse përfshin të paktën një subjekt bankar dhe një subjekt sigurimi apo investimi, ndërsa aktiviteti ndërsektorial duhet të kalojë pragjet e përcaktuara. Projektligji synon krijimin e një mbikëqyrjeje shtesë prudenciale për institucionet e kreditit, shoqëritë e sigurimeve dhe shoqëritë komisionere që janë pjesë e këtyre grupeve, në përputhje me Direktivën 2002/87/EC të Bashkimit Evropian, të njohur si FICOD, dhe ndryshimet e mëvonshme të saj.
Mbikëqyrje shtesë për kapitalin dhe rreziqet
Kuadri i propozuar parashikon një nivel shtesë mbikëqyrjeje që plotëson, por nuk zëvendëson, mbikëqyrjen sektoriale të secilit subjekt. Vëmendja përqendrohet te mjaftueshmëria e kapitalit në nivel grupi, përqendrimi i rrezikut, transaksionet brenda grupit, proceset e administrimit të rrezikut dhe mekanizmat e kontrollit të brendshëm. Synimi është të parandalohet përdorimi i dyfishtë i kapitalit dhe të kufizohet përhapja e vështirësive financiare nga një subjekt te tjetri brenda të njëjtit konglomerat.
Projektligji parashikon gjithashtu bashkëpunim ndërmjet Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës së Shqipërisë për identifikimin e konglomerateve financiare, shkëmbimin e informacionit dhe bashkërendimin e mbikëqyrjes. Për çdo konglomerat do të përcaktohet një autoritet koordinator, përgjegjës për drejtimin e mbikëqyrjes shtesë dhe koordinimin me autoritetet përkatëse, përfshirë ato të huaja kur është e nevojshme.
Përmes këtij kuadri synohet një vlerësim më i plotë i rreziqeve të grupeve financiare, në funksion të ruajtjes së stabilitetit financiar, rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së interesave të klientëve dhe investitorëve.
Burimi: Monitor
Më të lexuarat






k.jpg)